A duhen idealizuar idealistët?

Njerëzit që refuzojnë të tërhiqen apo të bëjnë kompromise, janë gjithnjë joshës. Kjo, pasi në një botë të ngopur me individë që përthyhen, tërhiqen, apo udhëhiqen nga interesa të ngushta individuale, figura e idealistit sjell një lloj freskie dhe frymëzimi.

Por, a është gjithmonë kështu?

Cosimo Piovasco di Rondò, personazhi kryesor i romanit “Baroni në Pemë” të Italo Calvinos, na ofron anën tjetër të njeriut idealist. Si adoleshent, ai vendos një ditë prej ditësh të ngjitet në pemë dhe të mos zbresë më që aty, pasi refuzon të hajë një pjatë me kërmij. Protesta e tij, që nis si kokëfortësi fëminore për të kundështuar prindërit dhe jetën e aristokracisë së kohës, shndërrohet gradualisht në bindje të përjetshme. Cosimo e kalon kështu jetën në degët e pemëve, pa zbritur më kurrë në tokë, duke lexuar Volterin, duke shkëmbyer letra me Rusonë dhe intelektualë të tjerë të rëndësishëm europianë.

Ajo që nis si një rebelim fëminor, kthehet kështu në një lloj akti fisnik dhe idealist. Cosimo refuzon çdo lloj komforti që vjen nga brenda shtëpisë së prindërve të tij dhe, teksa kundërshton autoritetin e tyre, heq dorë edhe nga trashëgimia familjare. Baroni adoleshent, dëshiron të jetojë në përputhje me besimet dhe idetë e tij. Ka diçka jashtëzakonisht joshëse në koherencën e tij, veçanërisht teksa secili nga ne jeton i rrethuar nga kërkesa dhe trysni për t’u përshtatur dhe për të tadhëtuar veten nga pak çdo ditë, në këmbim të pranimit nga bota.

Megjithatë, pak e nga pak, kapitull pas kapitulli, Baroni Cosimo bëhet gjithnjë e më i lodhshëm. Me gjithë admirimin ndaj vendosmërisë së tij, Cosimo nuk është dikush me të cilin do doje të kaloje shumë kohë. Në fakt, do të ishte i padurueshëm si mik dhe ka momente përgjatë leximit, kur frustrimi si lexues arrin gjer në atë pikë, sa je gati ta hedhësh librin nga dritarja, vetëm e vetëm për t’i shpëtuar këtij personazhi sfilitës, i cili të bën gjithnjë e më pak kurioz. Në gjysmën e dytë të romanit, rebeli i fillimit është kthyer në një personazh që nuk përmban më asnjë kontradiktë të brendshme, ndërsa pas njëfarë kohe, të bën të pyesësh veten nëse bindjet e tij janë të admirueshme, apo thjesht patologjike?

Por, nuk duhet ta ngatërrojmë Cosimo-n me Don Kishotin. Në fakt, baroni në pemë është krejt e kundërta e kalorësit romantik, i cili lufton me fantazma, për të rikthyer një epokë të kaluar. Ndryshe nga Don Kishoti, Cosimo është në fakt mjaft progresiv dhe në kontakt me mendimin iluminist. Ai kërkon të përmirësojë shoqërinë, e megjithatë ka diçka nuk shkon me të. Ai nuk është i çmendur, por më keq se kaq: ai ka të drejtë dhe pikërisht në të paturit të drejtë, bëhet i padurueshëm.

Është e vështirë që, në përfundim të “Baroni në Pemë,” të mos mendosh për idealistët e sotshëm, sado të pakët qofshin. Jo vetëm personazhet që kërkojnë të bëhen viralë nëpër media sociale, duke pretenduar qartësi morale në një oqean ambiguiteti, por sidomos ata të cilët shmangin çdo lloj pjesëmarrjeje… Intelektualët publikë, në të dy krahët e spektrit politik, me pozicionet e tyre parimore… Ata që të kujtojnë gjithmonë se çështja që po debatohet është më komplekse se aq… Njerëzit, të cilët janë gati të japin jetën për të mos bërë kompromis. Janë ata, të cilët mësohemi t’i admirojmë dhe citojmë qysh të vegjël dhe ndonjëherë – ndonëse rrallë në anët tona – edhe t’i zgjedhim të na drejtojnë.

Nga ana tjetër, të krijohet përshtypja se shumë prej tyre nuk duan realisht ndonjë ndryshim thelbësor. Ata thjesht duan që të kenë të drejtë. Të jenë gjithmonë në anën e duhur. Ashtu si Cosimo, ata duan të shihen gjithmonë sikur qëndrojnë mbi sistemin dhe shoqërinë disfunksionale. Nga larg, qasja e tyre duket e guximshme dhe e admirueshme, por kur e sheh më nga afër, kupton se shpesh është sipërfaqësore.

Calvino duket se e kupton këtë, dhe prandaj nuk e ndëshkon Cosimon, por as nuk e shpërblen atë. Ai e lë personazhin e tij të rrëshqasë në kufijtë e legjendës dhe të mitit. Baroni rebel, që dikur zgjoi kureshtjen e mendimtarëve më të rëndësishëm iluministë, kthehet në një pamje të zakonshme edhe për fshatarët që punojnë në pronat e feudalëve të kohës, gjersa në fund, shndërrohet thjesht në legjendë. Një histori të bukur për t’u treguar, por asgjë më shumë. Cosimo vdes në pemë, pa arritur asnjë lloj hakmarrjeje dhe asnjë lloj përmbysjeje sociale, derisa transformohet në idenë e baronit rebel.

Mos vallë do të ishte më mirë të reshtnim së idealizuari idealistët? Ndoshta jo krejtësisht, por të paktën jemi më dyshues ndaj njerëzve që nuk kërkojnë kurrë ndihmë dhe që nuk ndryshojnë kurrë mendim. Ata të cilët, ashtu si Cosimo, do të preferonin të vdisnin të vetmuar mbi shoqërinë dhe turmën, se sa të rrezikonin të bënin pis këpucët.