“I, Minister”, ose në lavdërim të zyrtarit të “korruptuar”
“Të gënjesh është i vetmi privilegj që njeriu ka mbi gjithë organizmat e tjerë. Nëse gënjen, arrin te e vërteta! Gënjeshtra është ajo që më bën njeri!”
– Fyodor Dostoyevsky, “Krim dhe Ndëshkim”
Vetëm një ditë më parë, kryeministri Edi Rama flirtoi – gjysmë me shaka e gjysmë ambicioz – me idenë e zëvendësimit të minsitrave, apo edhe vetë qeverisë, me një qeveri të inteligjencës artificiale. Është një premtim joshës, që teorikisht synon të luftojë korrupsionin dhe nepotizmin, si edhe të rrisë efikasitetin dhe qartësinë në ndërveprimin mes qytetarëve dhe adminsitratë. Prej disa muajsh tashmë, inteligjenca artificiale na paraqitet si një lloj orakulli i pakorruptueshëm, i përbërë nga një logjikë e pastër matematikore, e çliruar nga ndikimet politike dhe kompromiset njerëzore. Por, pikërisht këtu qëndron edhe rreziku: nëse kërkojmë të eleminojmë të metat njerëzore në qeverisje dhe adminsitratë publike, rrezikojmë që ta zhveshim atë nga virtyti i saj i vetëm, që është pikërisht ana njerëzore e saj.
Ideali i administratës së drejtuar nga një makineri, nënkupton se problemi thelbësor i qeverive tona janë marrëdhëniet e tyre njerëzore, ndjenjat dhe subjektiviteti. Por, një zyrë publike nuk mund të jetë një sistem klasifikimi algoritmik. Ajo duhet të mbetet një institucion njerëzor, e rrënjosur tek dhimbsuria, negociatat dhe ambiguiteti moral. Nuk kemi nevojë për një zyrtar digjital, i cili ndjek rregullat me përpikmërinë e një makine. Kemi mjaft të tillë të bindur, ndonëse besnikëria e tyre nuk është dhe aq ndaj ligjit, por ndaj urdhërit e komandës, edhe më mirë se sa do ta bënte një robot. Në më shumë se tridhjetë vite pluralizëm politik, Shqipërisë nuk i kanë munguar ministra që zbatojnë urdhëra me precizionin e një makinerie. Njerëz që nuk devijojnë nga komanda, as gabimisht e as me qëllim. Në fakt, teksa i dëgjon të flasin në parlament apo komunikime publike, shumicës së tyre iu mungon qartësisht thellësia, nuanca, ironia, apo edhe hezitimi, deri në atë pikë sa që me të drejtë mund të dyshosh se janë zëvendësuar ndërkaq nga inteligjenca artificiale, pa na thënë gjë askush. Secili nga ne, mund të emërtojë të paktën dy ose tre të tillë nga adminstrata aktuale, të cilët me gjasë nuk do ta kalonin testin e Alan Turing.
Korrupsioni, në formën e vet më cinike, mbetet i papranueshëm. Megjithatë, jo çdo devijim nga proceduar përbën krim. Ndonjëherë, të kuptosh vështirësinë në të cilën tjetri ndodhet, të përthyesh një rregull nga mëshira, apo të kuptosh kontekstin përtej kodit dhe algoritmit është diçka që asnjë inteligjencë artificiale nuk na e ofron dot. Të paktën, ende jo, pasi është diçka që kërkon ndërgjegje dhe gjykim individual, jo përllogaritje dhe efikasitet.
Zyrtari që dëgjon, administratori që vonon apo përshpejton një dokument përtej rregullave për të ndihmuar një nënë në vështirësi, punonjësi social që rrezikon vendin e punës për të mbrojtur një person të përjashtuar nga shoqëria – të gjitha këto – përbëjnë mungesë efikasiteti, por janë njëkohësisht shprehje e anës njerëzore.
Të përfytyrosh një qeveri dhe adminsitratë të përbërë nga inteligjenca artificiale, do të thotë të imagjinosh një qeveri të pamundur për t’u bindur përmes presionit social, por edhe që nuk mund të falë dhe nuk mund të mbahet përgjegjëse përmes dialogut. Pra, një situatë ku të del më mirë të bisedosh dhe t’ia qash hallet zogjve në lulishte, se sa të përpiqesh t’ia spiegosh problemin tënd zyrtarit digjital.
Një funksionar i përsosur, njeri a algoritëm qoftë, mund të drejtojë një sistem me efikaistet, por vetëm një qenie e gabueshme, spontane dhe reflektive mund t’i shërbejë realisht shoqerisë.
