Banaliteti i banalitetit të së keqes

Debatet online janë, në pjesën më të madhe të tyre, banale dhe sa më e ndërlikuar ose e nuancuar çështja për të cilën flitet, aq më i madh është edhe banaliteti, pasi është në logjikën e rrjetit dhe përdoruesve të mediave sociale që të thjeshtojnë çdo nuancë, ndërsa algoritmi nga ana tjetër shpërblen gjithmonë zhurmën. Por hera-herës edhe zhurma gjen rivalët e vet të denjë tek autorë sprovash moralizuese, të cilët kur flitet për luftë e konflikte, përpiqen t’i shpjegojnë gjithnjë përmes logjikës së nacionalizmit ballkanas, ndërthurur herë pas here me citate gazetarësh dhe analistësh të huaj, që si çdo gazetar, ka një agjendë – në mos të vetën – të medias në të cilën punon, apo mbështetësve financiarë të saj.

Së fundi, në mediat shqiptare po qarkullojnë dy artikuj në lidhje me konfliktin Iran-Izrael, të cilët më tepër se sa analiza apo reflektime, ngjajnë me checklist-a moralizuese mërish nacionaliste, shqetësimi kryesor i të cilave nuk duket të jetë pushteti që përfiton nga lufta, por komentues online të frustruar nga pafuqia e tyre.

“Për injorantët shqiptarë, që mbrojnë Iranin”

Për kosovarët injorantë, që mbështesin Iranin….

Mund të ndryshojnë në fjalë, por ndjekin të njëjtin script: Irani është i keq, e për rrjedhojë Izraeli ka të drejtë. Irani është një shtet represiv, e për rrjedhojë, nuk duhet të solidarizohemi me Palestinën, pasi çështja palestineze mbështetet nga Irani. Dhe, argumenti kryesor i tyre: Irani nuk i ndihmoi shqiptarët në 1990 dhe doli kundër tyre më 1999, ndaj shqiptarët sot duhet që medoemos të mbështesin armiqtë e tij. Sikur solidariteti historik të jetë një lloj llogarie bankare, dnërsa drejtësia e transferueshme përmes aleancash tribale.

Çuditërisht harrojmë, ose zgjedhim të mos shohim se vetëm pak ditë para se konflikti aktual Izrael-Iran të fillonte, aksionet e kompanive të prodhimit të armëve u rritën edhe pse pjesa tjetër e tregut ishte në rënie. Aksionet e Lockheed Martin, Northrop Grumman, L3Harris dhe RTX pësuan një rritje me rreth 3-4% javën e shkuar, duke performuar më mirë se pjesa tjetër e tregut. Po ashtu, çmimet e naftës panë një rritje prej afërsisht 7-11& d në mes të javës së shkuar, duke u shndërruar bashkë me kompanitë e armëve në një parajsë të sigurt investimesh.

E gjitha bëhet edhe më interesante kur sheh disa nga njerëzit e rëndësishëm, të cilët kanë aksione në këto kompani. Duhet të kujtojmë se në SHBA është plotësisht e ligjshme – ndonëse moralisht e dyshimtë – që ligjvënësit të kenë tregtojnë aksione, pavarësisht avantazhit të padrejtë që kanë ndaj pjesës tjetër të shoqërisë që mund të jetë e interesuar të përfshihet në tregëti. Pikëpyetjet morale shtohen sidomos kur është fjala për kompani që prodhojnë armatime. Midis emrave, bien në sy ato të Nancy Pelosi (tregton përmes bashëkshortit Paul Pelosi), e cila ka aksione në RTX (ish-Raytheon), dhe pa një rritje prej rreth 3% të vlerës së aksioneve të saj. Të tjerë janë Senatori Tommy Tuberville (Lockheed Martin, Honeywell, IBM), i cili gjithashtu pa një rritje prej 3-4% të vlerës së aksioneve të tij. Kongresmenët Josh Gottheiimer (Northrop Grumman) dhe Jonathan Jackson (General Dynamics), panë një rritje të ngjashme të vlerës së aksioneve të tyre. Të gjithë vijnë nga të dy krahët e politikës amerikane, por duket se ndastië konservatorë dhe liberalë ekzistojnë vetëm në çështje kulturore, ndërsa kur është fjala për përfitimin ekonomik, nuk janë edhe aq kundër njëri tjetrit.

Po, Irani është një teokraci brutale, që arreston poetë, ndëshkon kineastë, dhunon gra dhe vajza që guxojnë të kundërshtojnë shtypjen. Po, Irani është një diktaturë që sundon përmes frikës, por i tillë është sot edhe Izraeli, një shtet aparteidi, ku zërat opozitarë heshten. Le të mos harrojmë se mes viteve 2023-2025, qeveria e drejtuar nga Benjamin Netanyahu ka aprovuar një sërë ligjesh që shtojnë kontrollin politik mbi sistemin e drejtësisë. Reforma këto, të cilët u pritën me protesta masive në Izrael, dhe u desh sulmi i 7 tetorit nga militantët e Hamasit, që të harroheshin shpejt lumenjtë e protestuesve që vërshuan në rrugë kundër këtyre reformave.

Iraeli sot nuk është një demokraci që po tkurret dita-ditës nën një qeveri të ekstremit të djathtë, e cila duket se ka një varësi ekzistenciale nga lufta. Të dy regjimet – si ai Iranit, ashtu edhe ai Izraelit – sundojnë përmes militarizmit, të dyja kanë nevojë për armiq të jashtëm, që të mund të justifikojnë represionin e brendshëm. Asnjë prej tyre nuk mund të shërbejë si model qeverisjeje, ndërsa të dyja mbahen në këmbë nga një sistem global, i gatshëm të shesë armë më parë se sa të ofrojë ndihmë.

Është e kotë të debatosh me komentues të pafuqishëm online, por kur nga komentet kalohet në artikuj viralë, dhe nga një artikull lindin disa të tjerë, atëherë nuk mund të rrimë kaq indiferentë. Këto artikuj në asnjë rresht nuk përballen me sistemin që mbështet dhe përfiton nga lufta. Nuk ka asnjë përpjekje për të ndjekur paranë, apo për të pyetur se kush përfiton nga konfliktet që po shpërthejnë më shumë se vullkanet, ndërsa askush nuk pyet se kush po e ngacmon magmën. Veç prirjes për ta reduktuar luftën në emocion dhe moralin në kujtesë etnike, ato s’janë veçse folklor që na pariqtet si analizë e reflektim.

Izraeli nuk është Davidi që bëhet gati të përballet me Goliathin dhe Irani nuk është krimineli i vetmuar i Lindjes së Mesme, i etur për luftë dhe gjak. Në fakt, të dy shtetet janë pjesë e së njëjtës skenë gjeopolitike ku bombat janë kapital, ndërsa zemërimi shpërqëndrim. Por, nëse mbajmë leksione morale për njërën palë dhe demonizojmë tjetrën, pa përmendur tregtinë e armëve, dinamikat e fshehta (proxy), relatetet kolonialiste, apo politikën e naftës, atëherë s’po bëjmë tjetër veçse po e vëmë në gjumë opinionin public.

Perversiteti i vërtetë nuk qëndron tek fakti se një shumicë e madhe njerëzish të frustruar online mrbojnë Iranin, por tek fakti se mbetemi të izoluar në një debat ku të mbajturit anë shihet si një lloj akti moral, ndërsa makineria e vdekjes vijon punën e pashqetësuar.

Siç shkruante dikur Hanah Arendt, ka një banalitet të së keqes, në faktin se ajo nuk ka brirë dhe as nxjerr zjarr nga goja, por lind në arsyet më të rëndomta njerëzore. Por, duket se ka një banalitet edhe më të madh, i cili qëndron tek lehtësia me të cilën e keqja sot kthehet në slogan, te përpjekja për të shpjeguar çdo luftë me argumentin se kush na mbështeti në 1999 dhe te refuzimi me kokëfortësi i idesë se perandoritë nuk kanë miq, vetëm klientë.

Të bësh thirrje për rrëzimin e teokracisë iraniane e njëkohësisht të lëvdosh Netanyahun për “gjenialitetin strategjik” do të thotë të harrosh se njerëzit nuk vdesin në luftë për arsye fetare e as etnike, por sepse ka gjithmonë njerëz që përfitojnë nga vrasjet.

Megjithatë, ja ku jemi, duke debatuar online, ndërsa tregtia e armëve vazhdon, aksionet e kompanive të prodhimit të tyre rriten dhe përpjekjet për armëpushim dështojnë çuditërisht në çdo konflikt.

Regjimet nuk rrëzohen sepse dikush poston këtë apo atë flamur në Instagram. Ato bien kur njerëzit kuptojnë se propaganda nuk është parim dhe paniku moral nuk është mendim politik. Deri atëherë, mbetemi të ngërthyer në banalitetin e banalitetit të së keqes.