A është debati i mbivlerësuar si formë pjesëmarrjeje demokratike?

Sokrati besonte se debati ndihmonte për të pastruar shpirtin, por ai gjithashtu jetonte në një shoqëri ku puna kryhej nga skllevërit, ndërsa e drejta e qytetarisë i përkiste një elite të kufizuar burrash. Mjafton edhe kjo për të kuptuar se mbrojtësit më të zellshëm të debatit, kanë qenë thuajse gjithmonë njerëzit më pak të prekur nga pasojat e tij.

Debati ruan ende një vend nderi në jetën publike. E trajtojmë si një formë më të civilzuar konflikti, ku forca e ideve mund të provohet pa qenë nevoja të derdhim gjak, ndërsa kënaq si pjesëmarrësit, ashtu edhe spektatorin, i cili pas çdo debati largohet me idenë se diçka e rëndësishme ka ndodhur para tij.

Në shumicën e rasteve, në fakt, asgjë e tillë s’ka ndodhur.

Premisa se debati na çon më pranë të vërtetës, apo na mundëson qartësi mendimi, rrallëherë i mbijeton një vështrimi më të kujdesshëm. Përgjithësisht, pjesëmarrësit nuk ndryshojnë mendim gjatë debatit, pasi shumica vijnë të bindur në idetë e tyre dhe debati vetëm sa jua përforcon ato. Ndërkaq, sugjerimi se debati është i rëndësishëm jo për pjesëmarrësit, por për ndjekësit, që të mund të dëgjojnë dy anët e një argumenti dhe të arrijnë tek e vërteta, është shpesh po aq i gabuar. Pjesa dërrmuese e spektatorëve të debateve publike, politike a kulturore qofshin, priren të mbështesin atë person, i cili iu konfirmon bindjet e tyre. Madje, edhe kur ndodh që shikuesit ose dëgjuesit të lëkunden në ato çka i besojnë si të vërteta, kjo shpesh ndodh për shkak të bindjes sipërfaqsore, se sa nga ndonjë reflektim i thellë në lidhje me idetë e tyre.

Pavarësisht kësaj, debati vijon të dominojë shumicën e mediave, veçanërisht kur është fjala për përballje të ideve politike. Debati, na thuhet, është mënyra se si demokracitë e shëndetshme mendojnë me zë të lartë, por mjafton të ndjekësh disa prej tyre, për të kuptuar se të menduarit është gjëja e fundit që bëjmë, qoftë si debatues, qoftë si shikues. Ato çfarë shfaqen në të vërtetë, janë argumente të përsëritura gjer në lodhje dhe reagime të shpejta emocionale. Ka diçka shtypëse debati… Struktura e kërkon që ai të kulmojë gjithnjë me përplasje dhe të ketë gjithmonë një fund, një mbyllje konkrete, ose me shprehjen e tmerrshme “biem dakort që të mos biem dakort.” Nevojitet gjithmonë dikush që të jetë pro argumentit kryesor, një tjetër kundër, një moderator, një audiencë dhe një kohëmatës (ndonëse në shumicën e debateve tek ne, kjo e fundit është eleminuar si pengesë e tepërt).

Është e nevojshme që këtu të bëjmë një dallim midis debatit dhe diskutimit. Debati mbetet luftarak për nga natyra edhe kur i përmbahet kornizave të sjelljes. Ariktektura e tij është gjithmonë agresive dhe luftarake, në kërkim të mposhtjes së kundërshtarit. Nga ana tjetër, diskutimi, kur funksionon, e lë mënjanë nevojën për një mbyllje përfundimtare, duke ftuar në lojë kompleksitetin. Megjithatë, edhe diskutimet, sado të hapura apo të kujdesshme, hera-herës arrijnë në një fund pa krye, ku me gjithë duartrokitjet dhe aprovimet, asgjë nuk ndryshon, sa kohë nuk ekzistojnë kanale konkrete që të ndikojnë veprimin.

Fatkeqësisht, edhe kjo është bërë pjesë e koreografisë së përgjithshme. Qytetarët ftohen të marrin pjesë në diskutime publike, por më pas iu kujtohet, herë qetësisht e herë në mënyrë brutale, se aplikimi i rezultatit të diskutimit nuk ishte kurrë pjesë e tij. Fol sa të duash, por mos prit që të ndryshojë gjë. Në këtë mënyrë, demokracitë liberale na premtojnë përfshirje, ndërsa garantojnë që diskutimi dhe debati të kenë një rol thjesht ceremonial.

Por, pavarësisht kësaj, formati mbijeton dhe ajo çfarë e mban gjallë nuk është efikasiteti, por përputhshmëria me sistemet e gjera të shpërqëndrimit. Nëse peizazhi mediatik nxitet nga nevoja për të monetizuar vëmendjen e shikuesve, atëherë konfliktet e inskenuara në formën e debateve janë më të lehta për t’u promovuar se sa proceset e ngadalta të analizave dhe reflektimit të sinqertë. Audienca është gjithmonë më e lehtë të kapet përmes sigurisë, që debati e ofron me shumica, se sa përmes dyshimit, ngritjes së pyetjeve, apo mendimit të nuancuar.

E njëjta logjikë shtrihet edhe përtej ekranit. Debati luan një rol të dobishëm në mjedise që kanë nevojë të duken sikur reagojnë, ndërsa mbeten të palëvizshme. Shpesh, vetë institucionet që iniciojnë debate publike, janë ato që i bëjnë rezultatet e debatit të parëndësishme.

Ideja se debati forcon demokracinë, ngrihet mbi hamendësimin se fjala është e mjaftueshme për të sjellë ndryshime në shoqëri, por kur fjala ndahet nga vendimmarrja, atëherë a ka ajo më kuptim? A ka më kuptim fjala, kur nuk ka më fuqi ta formësojë botën përreth, por ekziston vetëm për të sugjeruar se bota mbetet e hapur për ndryshim?

Nuk kemi ende një alternativë të qartë për të zëvendësuar debatin, por qartësia nis duke pranuar se ai ndoshta e ka tejkaluar funksionin e vet. Nëse sot debati shërben vetëm si dukje, në vend që të përballet me realitetin, atëherë ndoshta duhet ta rikonsiderojmë vlerën e tij në shoqëri duke e matur përkundër asaj se sa pak arrin të na shqetësojë të gjithëve.