“Merimanga dhe Pasvdekja”: Kujtesa si instrument i pushtetit

Çdo merimangë e riparon rrjetën e saj me mbetjet e rrjetës së vjetër. Procesi nis me merimangën që ushqehet me mëndafshin e rrjetës që ka thurur një natë më parë dhe, pasi e ka tretur në një proteinë të lëngshme, nis të endë sërish nga e njëjta substancë. Po sikur historia të funksionojë në mënyrë të ngjashme?

Në romanin e tij “Merimanga dhe Pasvdekja,” autori Bashkim Shehu i rikthehet një prej fiksimeve më jetëgjata të shoqërisë shqiptare, mënyrës se si pushteti ushqehet me të shkuarën. Vendi në të cilin Fatjon Mata, personazhi kryesor i romanit, duhet të jetojë pas lirimit nga burgjet e regjimit komunist është një vend ku të vdekurve iu duhet të qëndrojnë akoma në krye të detyrës.

 

Në qendër të kësaj strukture ndodhet Astrit Mata, babai i personazhit kryesor. Partizan dhe dëshmor i Luftës së Dytë Botërore, Astrit Mata shpallet tradhëtar disa vite pas vdekjes, teksa logjika e shtetit të kohës kalon lehtësisht nga glorifikimi tek dënimi i figurës së tij dhe rrjedhimisht, arrestimi dhe dënimi i të birit, pai u dashur në asnjë moment që të japë prova për këtë transformim. Nuk ka rëndësi se çfarë ka bërë Astriti gjatë luftës, por si mund të shfrytëzohet ai pas vdekjes, duke na përcjellë kështu idenë se tradhëtia dhe heroizmi nuk janë domosdoshmërisht dy koncepte që i kundërvihen njëra-tjetrës, por dy mënyra të shfrytëzimit të së njëjtës kufomë.

Ngjarjet në roman marrin shkas nga filmi “Strategjia e Merimangës” i regjisorit Bernardo Bertolucci, një remake i të cilit po përgatitet nga shoku i qelisë së Fatjonit, mbështetur në rrëfimet e këtij të fundit gjatë periudhës së burgut. Filmi i Bertoluccit, në anë tjetër, mbështetet tek tregimi i Borgesit, “Tema e Tradhëtarit dhe Heroit,” ngjarjet e të cilit huazojnë elemente nga “Jul Qesari” i Shekspirit. Megjithatë, romani i Bashkim Shehut distancohet nga loja metafizike e pasqyrave, që Borgesi e pati perfeksionuar. Shqetësimi i tij është më tepër politik, ndërsa përqendrohet tek mënyra se si regjimet i shndërrojnë në instrumente – qoftë tradhëtarët, qoftë heronjtë – shumë kohë pasi e kanë lënë këtë botë.

Në Shqipëri, sikurse në shumicën e vendeve të formësuara nga trandjet ideologjike, të vdekurit thirren në detyrë sa herë që pushteti ka nevojë për një mit mbi të cilin të mund të qëndrojë. Intersante është se kjo logjikë shtrihet përtej personazheve, në botën fizike të romanit. Në një nga episodet që na shoqëron deri në fund të tij, tregohet se si gjatë ndërtimit të një kompleksi apartamentesh në Durrës, punëtorët zbulojnë rastësisht një mozaik të asaj që cilësohet si “Vallja e Labirinthit.” Mozaiku do të duhej të përbënte një moment që tregon vazhdimësi kulturore, por firma e ndërtimit vendos të pastrojë menjëherë vendin (diçka që, ndonëse jo fjalë-për-fjalë në këtë mënyrë, ka ndodhur jo shumë vite më parë). Kështu, mozaiku gërmohet gjatë natës dhe bashkë me dheun e nxjerrë, shkarkohet buzë një lumi, ku do të zhduket përfundimisht, si për të na thënë se historia është e destinuar të hidhet në kosh sa herë që pengon vrullin ekonomik të së tashmes.

Motivi i labirinthit që përshkon romanin shërben gjithashtu për ta nxjerrë në pah këtë cikël të shkatërrimit të kujtesës përmes rishpërndarjes së vlerës sipas interesit të pushtetit, qoftë atij politik në diktaturë, qoftë atij ekonomik më pas. Në korridoret e historisë duhet sakrifikuar gjithmonë dikush për ta bërë fabulën më të qëndrueshme, ndërsa vetë sakrifica do të rishkruhet më vonë. Kësisoj, dënimi dhe rehabilitimi (të dyja pas vdekjes), i babait të Fatjon Matës, varen nga roli që duhet të luajë në teatrin politik të ditës. Vetë Fatjoni duket se nuk gjen rrugëdalje nga ky labirinth. Ndonëse pas lirimit nga burgu emri i tij është pastruar, kjo ka ndodhur vetëm sepse sistemi i ri ka nevojë për simbole pajtimi, ndërsa të njëjtat mekanizma që shkatërruan babain e tij, tanimë kërkojnë me çdo kusht mbijetesën e tij si provë të dashamirësisë së tyre.

Është e qartë para, se pushteti (i cilësdo) kohë, s’mund të mbijetojë ndryshe, veçse duke u ushqer me fantazmat e veta, ndërsa Astrit Mata – sikundër mozaiku i përmendur në roman – e kanë të ndaluar të pushojnë. Të dy nxirren nga dheu, ekspozohen, flaken dhe rizbulohhen sipas nevojave të momentit. Madje, mund të thuhet se edhe vetë arti bëhet  pjesë e kësaj makinerie, ku filmi i ngritur mbi rrëfimin e Fatjon Matës, e transformon vuajtjen e tij në ngjarje estetike, e cila ushqen të njëjtën uri për kontroll.

“Merimanga dhe Pasvdekja” është një roman që duket se e refuzon idenë e pajtimit. Ai e kupton se në Shqipëri, ashtu si kudo tjetër, historia nuk korrigjohet përmes rishkrimit të librave dhe ndjesës, pasi dëmi i shkaktuar, tashmë ka zënë vend tek vetë gjuha përmes të cilës rrëfehet e shkuara. Këtu, ta tregosh historinë, do të thotë njëkohësisht ta ndryshosh atë.