Sorkadhet nuk harrojnë

Janë të pakët romanet që arrijnë të maskojnë me elegancë kritikën sociale nën petkun e një zhanri të caktuar letrar. Me përjashtim të titullit joftues – qoftë për imazhin që krijon, po edhe për nga gjatësia – “Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve” është nga të paktit – për të mos thënë i vetmi – roman i ngritur mbi misterin e disa vrasjeve të pashpjegueshme, ku sado i papritur e tronditës, nuk është fundi ai që mbetet me ty, por gjuha, nëntkesti politik dhe reflektimet e thella filozofiike.

Në qendër të romanit është Janina Dushejko, një grua në moshë, e cila jeton e vetme në një fshat të largët e të izoluar diku në Poloni. E dhënë pas astrologjisë dhe përkthyese e William Blake, ajo e siguron jetesën duke mirëmbajtur shtëpitë verore të të pasurve gjatë dimrit. Pozita e saj shoqërore është dukshëm ajo e një gruaje që nuk i hyn në punë askujt: E moshuar, rurale dhe pa fëmijë. Për fqinjët dhe autoritetet, ajo është “plaka e çmendur” e fshatit. Por, përmes personalitetit të saj të mprehtë, plot humor dhe të zhgënjyer nga gjithçka, del në pah edhe thelbi real i romanit – jo hetimi dhe zbulimi i autorëve të vrasjeve misterioze që ndodhin në fshat, por bota përreth që i nxit ato dhe i bën të nevojshme.

“Kaloje plugun…” nuk është histori e fajita individual, pro e dhunës sistemike. Ata që vdesin – gjahtarë që vrasin për sport, burra të pushtetshëm, priftërinj që predikojnë devocion ndërsa bekojnë pushkët – nuk janë viktima të rastësishme (nëse mund t’i quajmë edhe viktima). Ata janë simbole të një sistemi, i cili  justifikon mizorinë në emër të traditës dhe fesë. Është një botë ku policia mbron abuzuesit, kisha bekon brutalitetin, ndërsa kafshët masakrohen në rituale të maskuara si kulturë. Dhe, ajo çfarë Janina sheh dhe askush tjetër nuk do që ta dëgjojë, është se dhuna nuk është e fshehtë –  ajo është institucionale.

Por, Tokarczuk nuk na jep një heroinë klasike. Janina nuk është revolucionare në kuptimin e parë të fjalës. Ajo është e brishtë, obsesive dhe shpesh e shpërfillur nga njerëzit që e rrethojnë. Pikërisht ky është dhe thelbi i saj. Margjinaliteti i saj – mosha, ekscentrizmi, vetmia – e bëjnë atë të rrezikshme në mënyrën më interesante të mundshme. Përderisa nuk i përket asnjë vendi, klase sociale dhe ekonomike, ajo arrin të shohë gjithçka ashtu siç është në të vërtetë. Ajo sheh si pushteti fshihet pas nderit; si drejtësia nuk funksionon për të dobëtit dhe se si vetë natyrua është kthyer në një lloj këndi lojrash argëtimi përmes mizorisë.

Një nga qasjet më të guximshme të Tokarczuk në këtë roman është se na lejon të besojmë, qoftë edhe për pak, se natyra – sorkadhet – mund të hakmerret dhe se përgjegjëse për vdekjet e pashpjegueshme në fshat mund të jenë vetë kafshët. Natyrisht, ajo vetë është e ndërgjegjshme se kjo nuk është e mundur, por aludimi shërben si një lloj alegorie morale: nëse kafshët do të kishin fuqinë të hakmerreshin për të këqijat që iu bëjmë, a nuk do të kishin të drejtë të vepronin? Është një pyetje, e cila na detyron të mos e shohim botën nga pozita e të pushtetshmit dhe species superior, por nga këndvështrimi i të shfrytëzuarit, qoftë kjo natyra, gratë, kafshët, apo punëtorët.

Shumica e romaneve policore mbyllen me rivendosjen e rendit. Vrasësi kapet, motivet e tij zbulohen dhe shoqëria mund t’i rikthehet jetës normale, duke u pastruar nga kaosi i përkohshëm.  Por, tek “Kaloje plugun…” drejtësia nuk mund të rivendoset, sepse nuk ka ekzistuar kurrë. Nuk është fjala për ç’ekuilibrim të sistemit – ai funksionon ashtu siç duhet, duke mbrojtur keqbërësin dhe duke ndëshkuar këdo që e kundërshton. Ndaj, Janina nuk kërkon drejtësi ligjore. Ajo nuk beson në të. Ajo çfarë ndodh në faqet e fundit të romanit nuk është një mbyllje e pastër ku gjithçka rikthehet në vendin e vet, por një akt rebelimi… Refuzimi i iluzionit se drejtësia do të vihet në vend nëse tregohemi të duruar.

“Kaloje plugun…” nuk është thjesht një roman për dhunën. Ai është mbi të gjitha një roman për ata që iu lejohet të flasin për të. Janina është grua, jo e pasur, në moshë – praktikisht jashtë çdo institucioni që pretendon se përcakton të vërtetën. Megjithatë, ajo arrin ta shohë të vërtetën më qartë se kushdo tjetër. Miqtë e saj më të afërt janë kafshët, poezia dhe besimi të një lloj drejtësie kozmike. Ajo nuk kërkon ta falin, por ta dëgjojnë.

“Kaloje plugun…” vjen si një thirrje për të na kujtuar se ndryshimi i vërtetë nuk mund të vijë nga brenda sistemit. Romani e zhbën me qetësi idenë se morali mund të ekzistojë në vakuum. Mizoria nuk mund të dënohet nëse nuk hedhim sytë nga strukturat që e mbajnë atë në këmbë. Ajo nuk vjen thjesht nga një polic i korruptuar, apo nga një prift i keq, por si rezultat i një bote të tërë që e sheh dominimin si “natyrë njerëzore,” ndërsa rezistencën si çmenduri.

Ndaj, në një kohë si kjo e jona kur drejtësia duket se është reduktuar në hashtage dhe drama gjyqësore, Tokarczuk guxon të pyesë se si do të dukej drejtësia e vërtetë për ata, të cilët e gjejnë veten jashtë çdo strukture pushteti. Mund të mos jetë diçka e bukur për t’u parë, madje mund të mos jetë as e ligjshme, por mund të jetë e vetmja gjë që kemi në dorë.