Nuk është shtëpi, por shtëpi shpirtrash
Tirana përgatitet të presë të premten më 16 maj Komunitetin Politik Europian, në atë që nga autoritetet është cilësuar si “Shtëpia e Europës” – një samit me një koreografi thuajse të përsosur, që do të mbledhë udhëheqës europianë, diplomatë dhe politikanë e zyrtarë lokalë të paduruar të ngrohen nën shkëlqimin e venitur të një unioni që dikur premtonte solidaritet, por që sot ofron kryesisht konferenca për shtyp dhe gjeste boshe.
Si gjithmonë, narrative do të mbështillet me flamuj blu dhe yje të artë: progres, partneritet, vlera europiane. Ndërsa një vendi si Shqipëria, që është ende duke lëpirë plagët e ‘tranzicionit’ neoliberal, do t’i kërkohet sërish të duartrokasë me mirësjellje e të aprovojë me solemnitet fjalë si stabilitet, integrim dhe reformë. Por, gjendja reale e Europës është pikërisht ajo çfarë samiti do të shmangë me kujdes: fuqizimi i ekstremit të djathtë, një kontinet i paaftë edhe të shqiptojë fjalën ‘gjenocid’ në lidhje me atë çfarë ndodh në Gaza, kolapsi klimatik që tentohet të manaxhohet përmes incentivave të tregut (kur ky i fundit është një ndër shkaktarët kryesorë të saj), dhe kufijtë përballë të cilave mbyten me mijëra.
Sot BE nuk është një shtëpi, por një hotel për megalomanë. Teknokratë, shpesh të pazgjedhur, të cilët vendosin për fatet e miliona njerëzve, por që vetë nuk rrezikojnë asgjë. Burokratë që në mëngjes flasin për të drejtat e njeriut, ndërsa në drekë firmosin marrëveshje armësh dhe darkojnë nën llambadarë madhështorë, rrallë e tek të shqetësuar nga ata që protesta jashtë ngrehinës së qelqtë.
E megjithatë, në Shqipëri miti vazhdon të mbijetojë: Europa është shpëtimtarja jonë. Dera ku trokasim pa reshtur. Prindi, që një ditë do të na shpërblejë për bindjen tonë. Por, a mund të na shpëtojë një organizëm që e ka kaq të vështirë të shpëtojë edhe veten? Një union që po humbet besueshmërinë dita-ditës, moralisht i falimentuar dhe strukturalisht i paralizuar, unioni flet si filozof, por sillet si tregtar. Ndërsa në Ballkan liderët europianë japin leksione në lidhje me demokracinë dhe korrupsionin, vetë nuk ngurrojnë të rehatohen në krahët e autokratëve kur është fjala për të sigurar marrëveshje gazi apo për minerale të rralla.
Ndaj, kur të mbërrijnë në Tiranë, të buzëqeshur, të rrethuar nga sigurimi dhe duke duartrokitur rrugën tonë europiane, mund të pyesim: çfarë rruge ekzaktësisht? Dhe çfarë ndohet në anën tjetër? Sepse, nga këtu Shtëpia e Europës nuk ngjan dhe aq me një banesë, por me një shtëpi shpirtrash – madhështore nga jashtë, por e zbrazët, e ftohtë dhe e mbushur me fantazma.
Pyetja nuk është se kur do të hyjmë në BE, por përse duhet të duam të hipim në një anije që po mbytet, vetëm e vetëm sepse llambadarët e saj vazhdojnë të shkëlqejnë?