Konspiracioni dhe dhimbja e heshtur e kohës tonë
Pas publikimit të një prej episodeve të fundit të podcast-it Apostrof në lidhje me valën në rritje të antiintelektualizmit, kam marrë një sërë reagimesh. Shumica ishin ofendimet e zakonshme argëtuese, të tjera komente ndaj debatit, por kishte edhe një grup tjetër njerëzish, të cilët më kujtuan edhe arsyen e vërtetë përse vendosa ta përqëndroj atë episod tek rritja e antiintelektualizmit, mitet nacionaliste dhe rreziku i teorive konspirative: Fakti se gjithnjë e më shumë njerëz (përfshi këtu edhe veten), po humbasim dita-ditës miq, të afërm dhe familjarë veçanërisht për shkak të teorive konspirative. U kujtova kështu se kriza që po përpiqesha të trajtoja në podcast, rënia e autoritetit dhe minimi i realitetit, nuk janë thjesht fenomene mediatike apo politike, por diçka që na prek personalisht të gjithëve dhe po hyn në shtëpitë e kujtdo. Sa më poshtë, është një përpjekje në nivel personal, për të reflektuar në lidhje me këto humbje miqsh, të afërmish dhe familjarësh.
Nis thuajse gjithmonë me një link në Messenger ose Whatsapp. Një video, e dërguar nga një person i afërt… Dikush të cilit i beson. Ti e klikon, qoftë edhe për mirësjellje, ndërsa ajo që pason është një video ose një artikull, që përgjithësisht mund të përmblidhet si përpjekje për të treguar të “vërtetën” pas pandemisë. E merr fillimisht me humor, pasi toni i videos apo shkrimit është tejet dramatik dhe pretendimet tingëllojnë absurde por, ja që nuk është shaka. Mesazhet vijojnë njëri pas tjetrit dhe ajo që në fillim ishte vetëm një link, kthehet në dhjetëra të tilla, shoqëruar me një sërë pyetjesh nëse e kam parë se çfarë po fsheh media. Dhe pjesa më e dhimbshme e gjithë kësaj, është se nuk bëhet fjalë për një të panjohur në internet, por për dikë me të cilin je rritur. Dikush, të cilin e do.
Ti përpiqesh të bisedosh me ta, pa i kundërshtuar, por pak nga pak bëhet e qartë se nuk është biseda ajo çfarë kërkojnë, por konvertim. Ata janë “zgjuar”, ndërsa ne të tjerët jemi ende në gjumë dhe nëse i kundërshton sado pak, edhe butësisht, të etiketojnë si trushpëlarë, apo akoma më keq, si bashkëpuntor ose të shitur. “Zgjohu”, “Bëj kërkimin tënd”, “Çdo gjë që mendon se di është gënjeshtër,” janë frazat që vijnë më pas. Praktikisht, nuk ka hapësirë për dyshim, pyetje, apo nuancë, por vetëm vetësiguri të zhurmshme, urgjente dhe të veshur me tisin e të shenjtës.
Dikur kupton se nuk është më fjala për diskutim, por për rekrutim dhe atëherë ndryshon çdo gjë sepse kupton se nuk është fjala për fakte, mosmarrëveshje, apo politikë në kuptimin e zakonshëm. Në fakt, është fjala për diçka shumë më intime dhe çorientuese. Ata kanë zbuluar një sistem të ri besimi.
Kjo është dhimbja që shoqëron humbjen e një të afërmi, jo fizikisht, por për shkak të ideologjisë dhe ajo çfarë e bën edhe më të rëndë, është fakti se ata besojnë se janë në anën tënde. Flasin në emër të së “vërtetës”, “rezistencës,” apo “luftës kund sistemit,” por nuk arrijnë të kuptojnë se, sa më thellë zhyten në labirinthin e konspiracionit, aq më shumë shkëputen nga strukturat reale të pushtetit, por edhe nga ti si mik, i afërm, apo familjar.
Është tunduese që të menduarit konspirativ ta shohësh thjesht si iracionalitet, paaftësi për mendim kritik, apo dështim të logjikës. Kjo do të ishte një analizë e përciptë. Në fakt, për shumë njerëz konspiracioni ofron atë që dikur e ofronte feja dhe besimi: siguri në një botë gjithnjë e më kaotike, domethënie në një shoqëri anonime dhe ndjesi përkatësie në epokën e vetmisë së madhe. Për rrjedhojë, teoritë konspirative nuk janë thjesht ide, por identitete; njerëzit jo vetëm besojnë, por konvertohen në to ashtu siç mund të konvertohesh nga një besim në një tjetër.
Sikurse fondamentalistët fetarë, njerëzit që përfshihen plotësisht nga teoritë konspirative nuk e shohin kundërshtimin si ftesë në debat, por si persekutim. Çdo lloj fakti që mund të kundërshtojë botëkuptimin e tyre, vetëm sa konfirmon thellësinë e mashtrimit të supozuar. Ndaj, nuk bën punë t’iu dërgosh artikuj kundërshtues. Ata nuk janë në kërkim të informacionit, por në kërkim të kuptimit dhe domethënies në jetët e tyre, çka konspiracioni e ofron dhe me shumicë madje.
Por, nën gjithë këtë transformim personaliteti ka diçka edhe më të rëndë dhe më tragjike. Ndërsa të konvertuarit në konspiracion mendojnë sinqerisht se po i rezistojnë pushtetit, ata janë në fakt duke i shërbyer atij. Teoritë konspirative s’bëjnë tjetër veçse shpërqëndrojnë vëmendjen, ndërsa përhapësit e tyre e personalizojnë të keqen tek disa grupe të supozuara sekrete me fuqi mbinjerëzore, në vend që të përqëndrohen në një kritikë strukturore të pushtetit. Ata nxitin dyshimin, por jo solidaritetin; spektaklin në vend të strategjisë. Thënë ndryshe, e atomizojnë shoqërinë (ndërkaq të përçarë), duke e orientuar zemërimin publik drejt fantazive dhe jo drejt ndonjë veprimi të përbashkët. Po, cili është rezultati i gjithë kësaj? Një shoqëri individësh të “zgjuar”, por të izoluar, të cilët luftojnë me hijet, ndërsa të pushtetshmit qeshin me ta dhe me të gjithë ne.
Në këtë kontekst, kultura e konspiracionit kthehet në aleatin e përsosur të pushtetit, duke u shtirur si formë rezistence, kur në fakt nuk bën tjetër veçse e paralizon atë.
Le të marrim, për shembull, retorikën e krenarisë kombëtare aq të përhapur së fundi për të qetësuar një shoqëri të dëshpëruar ekonomikisht. Çfarë iu thuhet njerëzve përmes saj? Ti mund të jesh i papunë, i keqpaguar, i sfilitur, i injoruar, por mos u shqetëso, sepse ti flet gjuhën më të vjetër të botës. Ti e ke prejardhjen nga një “popull i lashtë.” Shkëmbim i zgjuar, apo jo? Merr krenari në vend të ndonjë pushteti real. Mite në vend të të drejtave. Identitet në formën e anestezisë.
Atëherë, çfarë mund të bëjmë kur një person i afërt na humbet në mjegullën e konspiracionit? Për fat të keq, nuk ka një zgjidhje të vetme për çdo rast dhe, duke qenë se nuk jam ekspert në psikologji apo sociologji, e vetmja gjë që mund të ofroj janë teoritë.
Qasja më e gabuar në këto raste është përqeshja dhe e dyta më e gabuar është kundërshtimi apo debati. Shpesh, ajo çfarë kërkohet është diçka edhe më e vështirë, pasi nevojitet durim pa u përkulur ndaj pretendimeve të tyre. Duhet lënë të kuptohet se jemi aty për ta, për t’i dëgjuar. Jo për të dëgjuar teoritë, por dhimbjen që fshihet pas tyre, pasi në shumicën e rasteve, mendimet konspirative fillojnë pikërisht aty ku shoqëria ka dështuar, tek njerëz që ndihen të padukshëm, të braktisur, të frikësuar.
Disa prej të dashurve tanë edhe mund të kthehen. Shumica, fatkeqësisht jo. Megjithatë, tragjedia e vërtetë në këto raste është politike dhe jo individuale. Një shoqëri ku individët janë të dëshpëruar për t’i dhënë kuptim e domethënie jetëve të tyre, është e destinuar të pjellë deluzion. Një zbrazëti e tillë shpirtërore dhe intelektuale kthehet në terren pjellor për mite, të cilat nuk na çlirojnë, por përkundrazi, shërbejnë si sedativë. Mite, që na thonë se jemi të lirë, ndërsa opsionet sa vijnë e reduktohen; na thonë se jemi të veçantë, më të lashtët, apo më superiorët, ndërkohë që mbetemi të sfilitur në punë shfrytëzuese; na thonë se nesë i besojmë, do të zgjohemi, por në fakt na mbajnë të zënë në luftë me fantasma.
Jo, kjo nuk është më betejë kulturore, por krizë e së vërtetës që ka kapluar prej vitesh tashmë shoqëritë tona. Është simptomë e një braktisjeje edhe më të madhe, e një shoqërie që ka zëvendësuar solidaritetin me shitjen e imazhit, drejtësinë me dukjen, politikën me performancën. Nëse nuk fillojmë të rindërtojmë dyshemenë nën këmbët tona – materialisht, strukturalisht dhe në mënyrë të përbashkët – konspiracioni do të vazhdojë të bëjë punën e vet, duke na përçarë përmes zemërimit dhe shpërqëndrimit, për të na lënë të izoluar në mediokritetin e jetëve tona boshe.