Arti pas dyerve të pushtetit
Shqipëria priti dhe ekspozoi gjatë kësaj jave veprat e disa prej piktorëve dhe skulptorëve më të rëndësishëm të historisë së artit europian dhe atij botëror, të cilat ishin pjesë e ekspozitës “Nga Bohemizmi te Përjetësia,” ndonëse jo në një galeri apo muzeum kombëtar ku njerëzit do të mund të shpenzonin një pasdite të gjatë ose mëngjesin e një të shtune ndryshe. Jo! Vepra nga autorë si Degas, Matisse, Modigliani apo Van Dongen, u ekspozuan brenda ndërtesës së kryeministrisë, si pjesë galerisë COD (Qendra për Hapje dhe Dialog) – një hapësirë kulturore e ndryrë në thellësi të arkitekturës së pushtetit shtetëror.
Për të qenë të sinqertë, ekspozita dhe vetë COD janë të aksesueshme lirisht për këdo në orare të caktura, por përvoja brenda saj nuk është asnjëherë publike. Ti nuk hyn përmes dyersh të xhamta që hapen vetë dhe as përmes ndonjë sheshi të gjerë e të ndriçuar nga dielli. Duhet që të kalosh gjithmonë nën vështrimet dyshuese të rojave të sigurisë dhe kodeve të heshtura të pushtetit. Thënë ndryshe, të lejohet hyrja, por nuk ndihesh kurrë në shtëpi dhe ky është një dallim thelbësor mes një hapësire publike dhe një qendre hijerëndë të pushtetit politik, pavarësisht përpjekjes për hapje e dialog.
Një galeri e vërtetë arti është më tepër se sa katër mure dhe ndriçim i mirë. Ajo është një hapësirë qytetare. Një vend ku njerëzit mund të enden lirshëm, të ngadalësojnë ritmin e jetëve të tyre të përditshme dhe të qëndrojnë aty më gjatë nga sa mund ta kishin planifikuar. Një vend ku shkohet jo vetëm për të admiruar vepra të rëndësishme arti, por edhe për t’u bërë përkohësisht të paaksesueshëm për botën, për të shplodhur trupin e pastruar mendjen, për të menduar pa agjendë dhe ndoshta edhe të flasësh me ndonjë të panjohur për diçka të bukur që të ka lënë përshtypje. Një galeri arti dhe një muzeum nuk janë vetëm vende “për t’u kulturuar”, por hapësira ku për disa orë mund ta marrësh jetën më ngeshëm, por kjo e fundit në formën e saj më të pastër nënkupton autonomi, liri, kohë që të përket vetëm ty.
Ndaj, një hapësirë e tillë nuk mund të ekzistojë në Tiranë. Qytetit, prej kohësh tashmë, i mungon një galeri kombëtare e përshtatshme për të pritur ekspozita të tilla dhe kështu, ajo që do duhej të ishte një përvojë kulturore kolektive, shndërrohet në vizitë të përkohëshme brenda një ndërtese që të shtyp edhe vetëm me peshën e rëndë të simbolizmit. Është e vërtetë se COD na jep akses, por nuk na jep liri. Na lejon të shohim, por jo të qëndrojmë.
Por, ndoshta ky është qëllimi sepse në një shoqëri ku individët janë gjithnjë e më të sfilitur, ankthiozë dhe të atomizuar, ç’mund të jetë më e rrezikshme se një publik që mblidhet, reflekton, apo endet më gjatë seç duhet në prani të së bukurës? Hapësirat e vërteta publike iu japin njerëzve kohë për të pushuar, për të ndier dhe për të menduar. Kohë për të bërë pyetje që nuk lidhen me produktivitetin sfilitës të jetës së përditshme. Por, diçka e tillë është një luks që sistemet autoritare (qoftë edhe autoritarizmi i butë), nuk mund të na e besojnë kurrë.
Ndaj, na jepen hapësira si “Qendra për Hapje dhe Dialog.” Vende ku mund të shkojmë dhe të shohim ekspozita pikture, skulpture dhe fotografie, me kusht që të dalim sa më shpejt prej tyre. Ndërsa çdo përpjekje e sinqertë për hapje do të kërkonte të kundërtën: ngritjen e institucioneve që tejkalojnë jetëgjatësinë e partive dhe kryeministrave. Një galeri kombëtare që nuk ndryhet brenda ndërtesës së këshillit të ministrave, por që është pjesë e hapësirës publike civile, ku fëmijët, studentët, punëtorët dhe çdo kalimtar i rastësishëm mund të hyjnë pa u përndjekur nga pyetja nëse e kanë vendin aty apo jo.
Ka diçka thuajse feudale në këtë lloj organizmi. Sikur sunduesi, në zemërgjerësi e sipër, na lejon ne, plebenjtë, brenda kështjellës për të kundruar për pak çaste llampadarët e saj. Dhe këtu nuk është fjala për një galeri apo një ekspozitë të vetme, por për simptomën e diçkaje më të thellë: tendencën e shtetit shqiptar për të përthithur dhe përvetësuar gjithçka – kulturën, intelektin, madje edhe kritikën – në orbitën e vet, sa kohë mund t’i kornizojë ato. Sa kohë që, në vend të ndërtimit të institucioneve, inskenon dukje; sa kohë nuk krijon hapësira publike, por i jep ato me “qira” si sfonde fotosh në Instagram.
Deri sa të arrijmë ta ndajmë prestigjin kulturor nga pushteti politik, deri kur të mos i ngjeshim më muzeumet në ndërtesa ministrish, do të vazhdojmë ta ngatërrojmë aksesin për privilegj dhe propagandën për kulturë.