Kulturë pa dhëmbë
Në pamje të parë, Tirana sot i ngjan një qyteti të dashuruar me kulturën dhe artin. Libraritë kryesore janë të mbushura me blerës; ekspozita dhe evente artistike mbijnë thuajse çdo javë në qytet, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz kërkojnë të jenë të përfshirë në diskutime dhe panele për artin, çështje sociale dhe politike, aq sa në momente të caktuara të krijohet përshtypja se qyteti po përjeton një rilindje kulturore.
Por, nëse gërvisht pak sipërfaqen mund të zbulosh një zbrazëti të çuditshme. Gjithnjë e më pak njerëz lexojnë dhe akoma më të pakët janë ata të cilët mendojnë në mënyrë kritike. Përtej spektaklit të momenteve kulturore tejet të kuruara estetikisht dhe shpesh të marketuara me mjaft sqimë, ekziston një heshtje mbytëse që tregon jo edhe aq për mungesën e kulturës, se sa për gërryerjen dhe shndërrimin e saj në një lloj boshi të bukur.
Kultura dhe arsimi duket sikur janë më të aksesueshme se kurrë, por rrallë kërkojnë ndonjë përfshirje të vërtetë tonën. Ato nuk na shqetësojnë dhe as na provokojnë sepse në pjesën më të madhe të kohës, nuk supozohet ta bëjnë këtë.
Le të marrim si shembull artin dhe eventet në lidhje me të, të cilat sa vijnë e bëhen më institucionale, të sponsorizuara nga shteti dhe, në shumicën e rasteve, në përputhje me një diplomaci të butë dhe mesazhe të përkora europianiste. Ngjarje kulturore, të cilat i paraqesin çështjet shqetësuese të kohës – si identiteti, ambientalizmi, apo migrimi – jo si plagë soicale që duhen analizuar, por si kuti që duhen çekuar. Shumë aktivitete duket sikur organizohen për të plotësuar kërkesa për grante e fonde, se sa për të ngacmuar ndërgjegjen publike. Zbukurojnë në vend që të shqetësojnë dhe arti – dikur një kërcënim ndaj narrativave dominante në shoqëri – tanimë përdoret për t’i pastruar e sterilizuar ato, në mënyrë që më pas të mund t’i shesim në profilet tona online si “art të sigurtë për konsum.”
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për arsimin. Shkollat dhe universitetet po ngjajnë gjithnjë e më tepër me fabrika që prodhojnë profesionistë të bindur, jo qytetarë dyshues dhe të aftë të mendojnë në mënyrë kritike. Në këtë mënyrë, edhe arsimi kthehet në një tjetër sistem zbutjeje – diçka që duhet duruar për disa vite, por pa u përqafuar. Nëse edhe disa vite më parë shumica prej nesh e urrenim shkollën sepse ishte e vështirë dhe qëndronte si një mur midis nesh dhe argëtimit e lirisë, sot dëgjon se si shumica e adoleshentëve e përshkruajnë atë si diçka thjesht të mërzitshme. Dhe kanë të drejtë. Janë gjithnmonë e më shumë të rinj, të cilët janë vërtet më të përparuar sesa sistemi arsimor. Të rinj, të cilët e njohin dhe përdorin teknologjinë me një lehtësi të frikshme; adoleshentë dhe të rinj që kanë krijuar nënrryma kulturore krejt të tyret online, e madje të aftë të shpikin kode gjuhësore shumë më shpejt se sa shkolla është e aftë t’i kuptojë ato. Nga ana tjetër, klasa mbetet statike – dërrasë e zezë, libër, leksione. Thënë ndryshe, shkolla ashtu si arti nuk paraqet asgjë sfiduese, asgjë që mund t’iu krijojë të rinjve ndjesinë e të qenit të rrezkishëm ndaj autoritetit.
Atëherë, përse të ndërveprojmë me institucione që premtojnë domethënie, por ofrojnë vetëm kontroll dhe zbutje?
Ndërkohë, zbrazëtinë që mbetet pas, diçka tjetër duhet ta mbushë me urgjencë. Dhuna – në familje, në rrugë, dhe mbi të gjitha, një brutalitet më i gjerë emocional, që ka nisur të na karakterizojë si shoqëri. Dhuna gjen terren për t’u rritur në një kulturë ku dhimbja nuk mund kurrsesi të pranohet dhe ku dominimi i tjetrit shpërblehet. Për më tepër, ajo mbart në vetvete një ndjesi origjinaliteti. Sado perverse që mund të tingëllojë, ka diçka të sinqertë tek dhuna. Ndryshe nga sistemi arsimor dhe shumica e artit që prodhojmë sot në kryeqytet, dhuna nuk shtiret. Madje, për shumëkënd ajo bëhet forma e fundit autentike e shprehjes. Aty ku arti dhe arsimi shndërrohen në dekor, dhuna ruan autenticitetin e saj edhe kur është shkatërrimtare apo fatale.
E megjithatë, dhuna nuk është rebelim. Është klithma e një shoqërie që thyen heshtjen e saj në mënyrën më tragjike të mundshme.
Nëse duam që kjo të ndryshojë, nuk mundet t’iu kërkojmë njerëzve vazhdimisht “të konsumojnë më tepër kulturë” dhe as thjesht “t’i kthehen arsimit.” Duhet më së pari t’i bëjmë këto hapësira të vlefshme për t’iu rikthyer.
Kemi nevojë për art që rrezikon të thotë diçka të vërtetë. Art që thyen narrativat e ndërtuara me mjaft kujdes. Art që nuk flet me kode akademike, por në gjihën e parehatshme të jetës që shumica prej nesh jetojmë. Art, i cili i trajton varfërinë, depresionin, shfrytëzimin, jo si metafora por si realitete urgjente. Në të njëjtën kohë, kemi nevojë për një sistem arsimor që jo vetëm trajnon punëtorë e punonjës, por që zhvillon qytetarë, të cilët dinë të ngrenë pyetje të vështira. Një sistem arsimor që inkurajon jo mosbindje për hir të mosbindjes, por dyshim dhe mosbindje për hir të mendimit.
Nuk vuajmë më nga mungesa e aktiveteve kulturore, por nga mungesa e një mprehtësie kulturore. Deri tani, e kemi marrë sasinë e aktiviteteve për thellësi dhe dukjen për vizion. Ajo çfarë kemi nevojë nuk janë më shumë fjalime, por të mendojmë më tepër në mënyrë të rrezikshme. Na duhen më shumë hapësira ku kultura nuk është thjesht pasqyrë, por thikë.
Sepse, nëse nuk i kthejmë artin dhe arsimin sërish në mjete rezistence, do të mbeten ornamente. Dhe, në një shoqëri që po mbytet nën peshën e perfomancës, e fundit gjë që na nevojitet është heshtja e maskuar si fjalë