Diktatura e kthyer në dekor
Transformimi i shtëpisë së ish-diktatorit Enver Hoxha në një rezidencë arti që pulson me ritme të muzikës tekno, koktejle dhe ekskluzivitet të kuruar me kujdes, bart në vetvete një ironi mizore. Një sit dikur i mbytur në heshtje dhe që për dekada përçonte vetëm ndjesinë e frikës së një pushteti të pakufishëm, prej pak ditësh po shitet si një kënd i ri i promovimit të kulturës ku e shkuara, trauma dhe kujtesa duket se janë pastruar me të njëjtin kujdes siç operohet një hundë e shëmtuar apo siç pastrohet një nishan i trashëguar por bezdisës.
Nëse dikur kjo ishte shtëpia më ekskluzive e vendit, një rezidencë brenda të cilës paranoja flinte e pashqetësuar pas perdeve, tani shtëpia e ish-diktatorit lulëzon nën iluzonin e hapjes. Por, asgjë brenda dhe rreth e rrotull saj nuk të përcjell ndonjë ndjesi lirie a çlirimi. Kufiri i dikurshëm që izolonte shtëpinë dhe të gjithë zonën ekskluzive të ish-bllokut vetëm sa është rimarketuar për t’u shitur nën një tjetër emër, por nuk është hequr.
Në pamje të parë, “Vila 31” tani ngjan me një projekt të guximshëm. Një lloj fitoreje simbolike, ku qyteti rimerr sërish hapësirën ku dikur nuk mund të imagjinoje se mund t’i kaloje pranë, le më pastaj të ktheje sytë për të parë drejt saj. Dhe është frymëzuese të mendosh se shtëpia nga ku dikur buronte shtypja, është shndërruar në një hapësirë kreativiteti. Por, siç ndodh shpesh me projekte të sanksionuara nga shteti dhe të mbrojtura ose të kuruara nga institucionet, nuk duhet shumë kohë për të kuptuar se nuk është aspak e tillë, por një lloj boshi i mirëorganizuar, ku e shkuara është fërkuar me kujdes nga muret, dyshemetë dhe tavani, për të pikturuar në vend të saj të tashmen me shtresat e saj ‘cool’.
Dhe, teksa endesh në dhomat dhe korridoret e “Vila 31” nuk mund të mos pyesësh veten se cili është qëllimi i një hapësire të tillë në kryeqytet? A është ajo vërtet një vend i promovimit të artit dhe kulturës, apo thjesht një performancë e “hapjes”, një lloj teatraliteti i kuruar nga të njëtat institucione që dikur i shërbenin pushtetit? A mund të ekzistojë arti domethënës dhe subversiv kur organizohet, sponsorizohet dhe kurohet nga shteti dhe nga institucionet?
Nga ana tjetër, vetë pikturat dhe instalacionet e ekspozuara në dhomat e vilës së ish-diktatorit lëkunden mes sterilitetit/ndrojtjes dhe sforcimit. Fjala vjen, një nga instalacionet tregon një drapër mbi shtratin e një prej familjarëve të ish-diktatorit – një përpjekje gati-gati banale dhe jo shumë imagjinative për të evokuar drapërin si simbol të komunizmit, po edhe të dhunës/vrasjes. Ky nuk është provokim por një caption instagrami në pritje për t’u pëlqyer e për t’iu provuar ndjekësve se ti “merr vesh nga arti”. Të tjera vepra vuajnë të njëjtin fat: sterile dhe të mbyllura në vetvete, kuptimi dhe përjetimi i tyre varet nga broshurat që i shoqërojnë dhe teksti në mur. Antimonumentalizmi në kulmin e zbrazëtisë së vet, që teksa përpiqet të zhvishet nga madhështia, s’bën tjetër veçse reflekton arrogancë konceptuale që kërkon me patjetër të interpretohet para se të shkaktojë emocion.
Na thuhet se duhet të jemi mirënjohës për këtë dekonstruktim të kujtesës. Por, ironikisht, ky lloj antimonumentalizmi transformohet vetë në një monument – një perfomancë arrogante dhe elitiste që mban veshur kostumin e minimalizmit konceptual. Nuk jam tradicionalist, por të paktën monumentet tradicionale me gjithë peshën negative që shpesh mbajnë, e dinë se çfarë janë. Dinë të komunikojnë. Ndërsa kjo përpjekje për antimonumentalizëm nuk konfrontohet, ajo nënçmon. Teksa i pëshpërit një elite ekskluzive dhe përjashton të tjerët, kjo përpjekje e sforcuar bëhet po aq totalitare sa regjimet, të cilat pretendon të dekonstruktojë. Edhe më keq, ajo maskon harresën e qëllimshme me gjuhën e progresit.
Arti domethënës synon të shqetësojë, jo të dekorojë. Ai duhet të sfidojë shtetin – sado demokratik – jo të subvencionohet prej tij. Duhet të ngrejë pyetje të vështira dhe jo të humbasë në zgjurasinë e vet. Në qytete të tjera europiane, hapësirat e artit publik kthehen në vend-strehim për të përjashtuarit nga tregu, duke ofruar akses të përballueshëm ekonomikisht dhe solidaritet me komunitetin. Ato ndërtohen mbi idenë e refuzimit të shndërrimit të çdo hapësire në mall tregu. Por, në rastin e “Vila 31” ndodh e kundërta. Hapësira reflekton ekskluzivitet. Pjesë të caktuara të shtëpisë janë në mënyrë të pashpjegueshme off-limits në orare të caktuara, ndonëse disa të tjerë rrëshqasin pa problem nën hundën e rojave të sigurisë, që në fakt janë aq të shumtë sa shpesh të duket se po hyn në ndonjë bankë ose institucion të sigurisë së lartë dhe jo në një vend ku supozohet të admirohet arti.
Përtej iluzionit të progresit kulturor, ekskluziviteti i dikurshëm i vilës së ish-diktatorit vazhdon të ekzistojë. Ndoshta rojat kanë fytyra më miqësore dhe janë më të buzëqeshur por, postblloku i padukshëm mbetet aty. Logjika mbetet e njëjtë: kjo hapësirë nuk është për këdo. Kurrë nuk ka qenë e tillë.
Ndaj, kjo nuk është një rimarrje e guximshme e një hapësire dikur të ndaluar, por pastrimi i historisë përmes kulturës. Diktatura e kthyer në dekor. Një shtëpi e pushtuar nga shpirtrat, e maskuar si një mbrëmje festive me muzikë tekno.
Gjëja më e trishtë është se e gjithë kjo funksionon. Ti ecën përmes kësaj rezidence arti dhe thuajse harron se çfarë përfaqëson ajo për shqiptarët. Dhe harresa në një vend si ky është më e rrezikshmja.